Drejtshkrimi i emrave të përveçëm të huaj Gjatë vizitës time të fundit në Shqipëri vura re një fenomen të ri në drejtshkrimin e emrave të huaj të përveçëm. Pothuajse në të gjithë filmat e huaj jo të dubluar por me përkthim në fund të ekranit emrat e huaj të përveçëm kishin filluar të shkruheshin si në origjinal por të lakuar sipas rasave të gjuhës shqipe. Për shembull, le të marrim emrin "John" në fjalinë e mëposhtme: Pashë John-in dje. (I saw John yesterday) Me thënë të drejtën, në fillim e pata pak të vështirë të mësohem me këtë mënyrë të re të drejtshkrimit të emrave të huaj në shqip ngaqë jam mësuar me metodën e të shkruarit fonetik të tyre. Kjo gjë më bëri që ta hulumtoj pak këtë fenomen. Nga hulumtimi i deritanishëm kam mësuar shumë por më kanë lindur edhe disa pyetje të cilat desha t'i ndaj me ju duke kërkuar edhe mendimin tuaj. Në shumë vepra letrare të përkthyera para luftës së dytë botërore, emri i autorit shkruhej si në origjinal, si për shembull: Shakespeare. Ndryshe veprohej me emrat e personazheve. Ato ose mund të shkruheshin si në origjinal ose mund të shkruheshin fonetikisht, si për shembull: Oliver Tuistin ose Oliver Twist-in. Gjatë periudhës së komunizmit u vu re një ndryshim i plotë në këtë drejtim. Dominoi në mënyrë të plotë shkrimi fonetik i emrave të përveçëm, ku brezi im i përkthyesve pa vetëm shkrimin fonetik të emrave të përveçëm ku Shakespeare njihej si Shekspiri. Kjo ka bërë që emri i Shekspirit dhe autorëve të tjerë të njohur botërorë të jetë mjaft i përhapur dhe i përdorur në formën e tij fonetike në masën e gjerë të lexuesve. Këto vitet e fundit është vënë re kthimi i tendencës së periudhës para luftës së dytë botërore ku tashmë po mbizotëron shkrimi i emrave të huaj të përveçëm si në origjinal. Nuk e di nëse kjo është vetëm përshtypja ime por më duket se është krijuar pak rrëmujë në këtë pikë dhe nuk ka një tendencë të vetme të qartë për drejtshkrimin e emrave të përveçëm të huaj në shqip. Pra nuk është çudi fare që të marrim në dorë një libër të përkthyer të një autori të huaj ku të gjithë emrat e përveçëm janë si në origjinal dhe një libër tjetër të po të njëjtit autor por të përkthyer nga një përkthyes tjetër ku emrat e përveçëm janë shkruar fonetikisht. Ç'mendoni ju për këtë fenomen? Cilën metodë do të zgjidhnit ju, atë të të shkruarit të emrave të përveçëm si në origjinal apo fonetik? Nëse keni njohuri në këtë drejtim, si veprohet në gjuhët e tjera? Si mendoni, a duhet që të fillojmë të shkruajmë "Më pëlqen Shakespeare-i" apo "Më pëlqen Shekspiri"? Në qoftë se vendosim t'i shkruajmë emrat si në origjinal, çdo të ndodhë me shqiptimin e tyre kur ata të lexohen nga lexuesi që nuk e ka idenë fare se si t'i shqiptojë fjalët e huaja? Mirëpres mendimin tuaj. Anila
|