Home Home Home
Home
Translation Jobs
 


You are currently browsing as a guest. Please log on to access more features.


We are a country of revolutionaries. Bu we want to make blockades with other people's furniture.Ennio Flaiano

Logo     Message format      Current location      Moderators      Thread information      Site Search 
 
Category Language-Specific Forums (Show all)
.thread Albanian
.linemsg Fan S. Noli -përkthimet ...
 Anila Mayhew Last Activity November 9, 2008 11:50 AM
2 replies, 3105 viewings

Jump to page: 1
Now viewing page 1 [10 messages per page]
back.reply (new window)
Navigate threads:
< Previous Thread :: Next Thread >
Printer friendlySandbox Click to get helpHelp Click to get help

Posted:
March 9, 2005 12:16 AM
Post #54291
Zef Ulqinaku
Member

Posts: 8
Joined: July 24, 2004
Location: Canada
 
Fan S. Noli -përkthimet kishtare 1 (At Foti Cici)

I.                   Tekstualizimi i lëvizjes si kombëtarizim i kishës                                                                         (Periudha e parë përkthimore: 1908-1914) [1]

 

 

Themelimi dhe kanonizimi i famullisë së parë shqipe në ShBA kishte si kusht nga kisha ruse, në vitin 1908, shtypjen e një libri shërbesash në shqipe. Pa këto përkthime dhe pa këtë kishë të parë nuk mund të vazhdonte lufta për një kishë autoqefale shqiptare. Noli predikonte me nerv e pragmatizëm se besimet ekzistuese të shqiptarëve janë ato që duhen shqiptarizuar, ndryshe nga ata që ëndërronin një fe për një atdhe. Në rastin e kishës ortodokse duheshin më parë librat, tekstet që do të plotësonin imazhin e një lëvizjeje që do t’i jepte historisë shqiptare një pozitë krejt të re.

 

Duke parë se ishte një fushë shumë e vështirë, e parrahur më parë në shqipe dhe e pafund për nga sasia e teksteve origjinale, Noli i ri ngurronte. Madje thuhet se edhe Kristoforidhi pati menduar t’i futej kësaj pune, por nuk guxoi.[2] Në rastin e Nolit ekzistonin edhe vështirësi praktike; projektet përkthimore kishtare ishin vetëm pjesë e jetës së tij shumëpërmasore (Në rast se përsiatemi mbi hezitimet liturgjike të dy përkthyesve të shquar, a mund të merret ngurrimi i Kristoforidhit vetëm si pjesë e “përkorës” së tij laike?)

 

Fillimisht Noli e hodhi idenë në shtyp, duke u bërë thirrje filologëve e teologëve shqiptarë të bashkëpunojnë për një përkthim të përbashkët. Sepse vetëm një punë e tillë do të jepte përkthime më të sakta dhe më jetëgjata në gjuhën tonë. Dyzimi i Nolit justifikohej në dy mungesa. Së pari, ai nuk kishte studiuar teologji, e as kishte ndërmend t’a kryente; ai po përgatitej të fillonte studimet për letërsi në Harvard. Së dyti, Noli nuk kishte përvojë të madhe me të shkruarit shqip. Madje studiuesit e gjuhës së tij me të drejtë kanë vërejtur se Noli po mësonte për herë të parë ato vite të shkruante shqip. Kështu, për parantezë, edhe dramat e tij të para nuk është e sigurt nëse u parëshkruan shqip. Këtyre dy mungesave i shtohej dhe fakti se ai nuk kishte studiuar filologji, megjithëse ishte përpjekur dikur në Athinë.

 

Por Fan Noli zotëronte shumicën e armëve të duhura për përkthimet kishtare në gjuhën shqipe. Përkthimi i një teksti liturgjik kushtëzon, veç shqipes, greqishten bizantine, në të cilën është shkruar origjinali. Noli njihte më mirë greqishten e re, por kishte studiuar në gjimnaz mjaft tekste nga greqishtja klasike, dhe duke qenë qysh i vogël në kishë, pranë të atit psalt, ai u familjarizua me greqishten biblike e bizantine, të cilat urëzojnë greqishten e vjetër me atë të re. Krahas gjuhëve Noli njihte mirë muzikën kishtare bizantine. Ai eci shumë në këtë fushë gjatë studimeve në gjimnazin e Adrianopojës dhe, siç dëshmon tek shënimet autobiografike, e përkreu këtë disiplinë të çuditshme në Egjipt, me mësues një murg grek. Përderisa gjithë himnet kishtare janë thurur në një muzikë, në shumicën e rasteve të bashkëcaktuar me vargjet, mund të themi se njohja e mirë e muzikës bizantine ishte ajo që e trimëroi përkthyesin e diasporës.

 

Nga kahu i ndërsjelltë i debatit mund t’a mbrojmë mirë Nolin e ri dhe të vjetër po të themi se asnjë përkthyes që ka studiuar teologji e filologji, por që nuk njeh muzikën bizantine, nuk mund të përkthejë himne në gjuhën shqipe pa i përshtatur më parë me sukses në muzikë. Shërbesat dhe himnet janë parathurur për t’u kënduar dhe jo për t’u recituar. Dhe për të arrirë një përshtatje muzikore mesatare, ndoshta nuk duhet me domosdo njohja e simiografisë bizantine (notacionit muzikor), por të paktën nuk bëhet pa mësuar e kënduar “me vesh” meloditë e tetë tingujve përkatës. Theofan Noli ishte një njohës i mirëfilltë i muzikës bizantine. 

 

Me përkthimet e teksteve liturgjike Noli jo vetëm hapi udhën në një fushë të re të shqipes, duke shtënë një hije imponuese edhe mbas një shekulli nga konceptimi e lërimi i këtyre veprave, por ai bëri të afrueshme tek bashkëkohësit e tij synimet paraekzistuese për një kishë shqiptare me tipare të prekshme kombëtare.

 

 

 

Konceptimi i kanonit të parë liturgjik

 

Vendimi i Nolit për të nisur e botuar këto përkthime ngriti pyetjen e kanonit të teksteve liturgjike në shqipe. Çfarë do të përkthehej e çfarë do të lihej për më vonë e për të tjerë? Gjashtë janë librat e botuar gjatë periudhës së parë përkthimore, shumica prej tyre kushtuar kryepeshkopit rus të Nju Jorkut, Platon. Libri i parë është përkthimi i shërbesave dhe himneve të javës së madhe, i cili u krye me nxitim për t’a përdorur për pashkët e atij viti (Shërbes e Javës së Madhe, 1908). Tek ky libër vërejmë se si autori, duke përkthyer me ngut nuk del dot nga trajtat nëndialektore të gjuhës së tij të folur të trashëguar, në përdorim të një gjuhe dialektore të shkruar. Stili gjuhësor tek ky përkthim nuk është njëtrajtësisht i qëndrueshëm, ndërsa këndimet biblike janë cituar nga Kristoforidhi. Kurse në librat e mëvonshëm Noli do t’i merrte pasazhet e Kristoforidhit vetëm si truall për t’i ripërpunuar e për t’i bërë ato të njëgjuhëshme me poetikën e himneve të tij.

 

Mbas përkthimit të librit të dytë, Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe (1909), ai e qartësoi qëllimin dhe natyrën e projektit liturgjik. At Fan Noli me sinqeritet iu premtoi sivëllezërve të tij shqiptarë ortodoksë se do t’i pajiste me tekstet më të përdorshme në gjuhën shqipe, si një mjet i domosdoshëm për adhurim në gjuhën amtare. Por autori prift, student e gazetar, nuk kishte ndërmend të ndërmerrte  përkthimin e plotë të gjithë literaturës adhuruese ortodokse (Bibla dhe tekstet liturgjike), një punë që as sot nuk ekziston. Në shënimet e Nolit tek këto botime ai bën thirrje për ndihmë ekonomike nga shqiptarët kudo që janë, për të përfunduar projektin e tij sa kombëtar aq dhe fetar. Kanoni konceptohej sipas nevojave kombëtare e personale.

 

Në qoftë se Noli kishte një motivim plotësisht kishtar, krahas kohës së nevojitur, ai do të kishte përkthyer gjithashtu himnet e adhurimit të përditshëm nga vepra në dymbëdhjetë vëllime Mineon, dhe gjithashtu do të jepte një përkthim të plotë të veprave Triodion dhe Pentikostarion. Por nga të tre këto vepra prej trembëdhjetë vëllimesh, ai na dha në shqipe vetëm tre vëllime përzgjedhëse. Për festat e përditshme nga Mineon Noli përmblodhi dhe botoi një vëllim: Librë e të  Kremteve të Mëdha të Kishës Orthodoxe (1911). Me të njëjtën frymë ai botoi Triodin e Vogël (1913), duke përkthyer shërbesat e së shtunës në mbrëmje dhe të së dielave, si dhe Pesëdhjetoren e Vogël (1914), me të njëjtën metodë. Tek Triodi ai ripërktheu gjithë shërbesat dhe himnet e javës së madhe, të cilat ishin përkthyer tek libri i parështypur kishtar.

 

Në vend të librit të tetë tingujve, Paraklitiki, ose siç quhet në terminologjinë e muzikologjisë perëndimore, Oktaihos, ai na dha një Lutjesore të Vogël (1914), duke përkthyer vetëm shërbesat e fundjavës; mbrëmësoren e së shtunës dhe mëngjesoren e së dielës, të konceptuara këto si një seri e vetme, pa i shkurtuar shërbesat dhe himnet. Qëllimi i tij ishte t’iu jepte shqiptarëve mundësinë të kenë të plota shërbesat e së dielës dhe të kremteve më të festuara të vitit liturgjik ortodoks, në pamundësi për t’i përkthyer të gjitha.

 

 

Receptimi si ngjarje kulturore ndërshqiptare

 

Tek përkthimet e para Noli e pasuroi gjuhën me terma të huaj dhe krijoi stilin e tij të veçantë në letrat shqipe. Është për të vënë re e për të respektuar se, pavarësisht nga futja e termave të huaj, shumica e titujve të librave greqisht dhe shumë terma teologjikë u shqipëzuan dhe mbetën në gjuhën tonë të tillë, ndryshe nga përkthime të tjera liturgjike në gjuhë të tjera, pikërisht se natyra e shqipes është krejt ndryshe, për shembull, nga anglishtja. Synimi i Nolit ishte të përdorte një shqipe letrare që bazohej tek autorët pararendës por dhe që i tejkalonte ata, përderisa gjuha duhet te shprehte terminologjinë bashkëkohore të gjuhëve evropiane.

 

Filozofia e këtyre përkthimeve të Nolit, veçse, shkoi kundër vullnetit dhe talentit të tij krijues. Atij i duhej të prodhonte përkthime të fjalëpërfjalshme, në një kohë që gjithë e puna e tij përkthimore e mëvonshme në letërsi dhe në lëmin kishtar dëftoi të kundërtën. Noli ishte i prirë për përkthime-rikrijime, përkthime të lira, “muzikore”.

 

Në periudhën e parë përkthimore Noli u përpoq të jepte një “kuptim të saktë” të origjinalit greqisht. Mirëpo kjo solli sakrifikimin e përshtatjes muzikore të këtyre teksteve. Vetëm një psalt i mirë dhe me përvojë mund të këndojë lehtë këto libra të para të Nolit. Sidoqoftë, flasim këtu për vështirësi në të kënduarit e teksteve të përkthyera, duke pasur parasysh përkthimet e periudhës së dytë në vitet 40 dhe standardizimin e shqipes, e cila ka kërkesa tejkaluese sot. Por në atë kohë, kur nuk ekzistonin përkthime të tjera dhe kur filologët nuk bashkëpunuan për përkthime të përbashkëta, kushdo do të himnonte këto himne shqipe, sepse e meritonin.

 

Përshtatja muzikore është e vështirë për çdo gjuhë, sepse është e mundimshme të balancohet gjuha e përkthyer me muzikën e tingullit dhe të melodisë përkatëse, gjë që është vështirë të shmanget, për shembull, tek “të përshëmbëlltat”, siç i quajti Noli himnet që këndohen me të njëjtat melodi të paradhëna (prosómoia).  Ndërsa të pakta janë rastet e përshtatjes së përsosur bizantine tek përkthimet e para, do të shohim tek përkthimet e dyta se përshtatja muzikore atje u arrit shumë më gjerë, por jo me metoda tekstuale. Arsyetimi se askush ndër të gjallë mund të guxonte të bënte diçka të tillë i vetëm, dhe se pa një paraqitje të tillë nuk mund të arrihej kombëtarizimi i kishës, çoi dhe në vlerësime të cekëta (Përshtatja muzikore e përkthimeve të Nolit uroj të përbëjë një trajtesë më vete, me hapësirë për të renditur në përqasje himnet bizantine).

 

Kjo ideologji përkthimore, duke i qëndruar besnik origjinalit të teksit dhe duke kontrolluar ndjenjat muzikore të tekstualitetit bizantin, shpreh motivimin politik të Nolit. Ai përktheu në një frymë që mund të lehtësonte kishën ortodokse të pranonte dhe të njihte këto përkthime si libra kishtare në shqipe, ndërsa një qëndrim tjetër në përkthim do të ngrinte pengesa të tjera në zyrtarizimin e përkthimeve, do të vononte tekstualizimin e lëvizjes, do të vononte kombëtarizimin, pavarësinë e kishës shqiptare. Të paktën kështu dukej atëherë. Me këtë strategji Noli shpresonte se çdo reagim negativ ndaj përkthimeve të tij do të ishte i kufizuar.

 

Ndërsa po botonte librin e shërbesave (1909) Noli filloi të informojë dhe organizojë shqiptarët ortodoksë brenda dhe jashtë Shqipërisë duke iu kërkuar të dërgojnë peticione në Patrikanën për pavarësinë e kishës ortodokse në Shqipëri. Noli sugjeronte se një nga të dhënat e këtyre përçapjeve duhet të ishte dhe fakti që mesha ishte përkthyer nga një prift shqiptar ortodoks. Nga ana tjetër ai kërkoi në disa raste të shkruheshin letra tek kryepeshkopi rus Platon, për të thënë se përkthimet e tij ishin të sakta, pavarësisht se kësisoj po dëlirej lindja e një kritike profesionale në letrat përkthimore shqipe.[3] Edhe ky fakt tregon se sa vuante Noli për të sendëzuar projektin e përkthimeve kishtare, si pjesë e një lëvizjeje kombëtare që po sakrifikonte.

 

Receptimi i këtyre botimeve ishte i ngrohtë nga figurat e letrave shqipe të asaj kohe, Faik Konica, Lasgush Poradeci etj. “Në tërë jetën time, tha Fan Noli në fjalën funerale të Konicës, s’kam njohur njeri që interesohej për Kishën tonë kombëtare aqë sa Faik Konitza. Ay na e shtypi Librën e Meshës më 1908 në Bryksel; ay i ndreqi korektimat pas abecesë së vjetër një herë; pastaj i ndreqi vetvetiu për së dyti pas abecesë së re, që posa u-vendos prej Kongresit të Manastirit. Ay e ka zgjedhur pikturën e Shën Joan Gojartit që figuron në mes t’asaj libre. Dhe këtë pikturë e ka kërkuar nat’ e ditë, me javë e me muaj, gjer sa e zbuloj në librat e vjetëra kishëtare. Siç më shkruante, piktura duhej ta tregonte Shën Joanin jo të bukur dhe të pashëm, siç e kanë imagjinuar disa piktorë, por të mvojtur dhe të shëmtuar, ashtu siç ka qenë me të vërtetë”.

 

Sa keq që nuk shikojmë sot patriotë jo ortodoksë, nga ata që ndërhyjnë me kryeneçësi në çështjet tona kishtare, të kenë frymë të tillë bashkëpunuese e fedashjeje, si Faik Konica…

 

Por veç vlerësimit nga ana politike e letrare, përmes një vendosjeje kulturore të  përkthimeve të periudhës së parë, kishte dhe reagime negative. Këtu mund të përmendim filologun patriot Aleksandër Xhuvani, i cili kishte një epërsi ndaj Nolit, meqë kishte përfunduar studimet në Athinë për filologji, ndërsa Noli ishte ende student në Harvard, për rrjedhojë me boshllëqe disiplinore në shqipe e në greqishte. Në disa pika kritika e Xhuvanit ishte me vend, në të tjera ishte pjesë e mbetjeve puritane, por që atëhere mbizotëronte letrat shqipe. Formulime të tilla, veçse, jo vetëm mbanin vetë të talentuarit larg përfshirjes në sfidat kulturore të brezit të tyre, por me drojën e rrezikimit drejt së panjohurës, edhe pse të afërndodhur, pengonin tekstualizimin e lëvizjes për mëvetësimin e kishës.

 

Në shtresat e gjera ortodokse nuk ekzistonte nevoja e përbrendshme e përkthimeve si shtrëngim, pasi çështjet e gjuhës vinin nga rrethet e intelektualëve me të cilët populli i thjeshtë ishte në hendek të shumëfishtë. Për më tepër priftërinjtë, edhe pse në shumicë nuk dinin të predikonin në greqishte, përhapnin idenë se përkthimi në shqipe është sa ironik aq dhe qesharak.[4]

 

Pra, reagimi ortodoks kundër shqipes si gjuhë e mirëfilltë kishtare kishte fillesa kulturore e spirituale, por që kjo shtohej e manipulohej nga segmente më pak të pafajshme. Me këto të dhëna kisha greke nuk kishte pse të krijonte industri qëmtimi tek shqiptarët, sesa të mos vonohej në ofshamat e tyre, të cilët në shumicën e tyre nuk besonin tek shqipja adhurimore. Si rrjedhojë patrikana i konsideronte përkthimet e Nolit të papranueshme për adhurim. Por cila ishte alternativa e Patrikanës për shqiptarët, për mbarëvajtjen shpirtërore të të cilëve ishte përgjegjëse përfaqe Zotit? Greqishtja bizantine në kishë, apo mësimi i detyruar në shkollat greke?

 

Sidoqoftë, këtu duhet të përpiqemi t’a rilexojmë historinë me parabindjen se ngarkesa emocionale që vjen nga opinionet e gjithë burimeve greke dhe nga shumë vlerësime të njëzëshme të burimeve shqiptare, është njësoj e pranishme. Pyetjet se, përse Patrikana shprehu pëlqimin për përkthimin e Dhjatës së Re shqip në vitet 1820 dhe më pas e ndaloi këtë përkthim, dhe se përse qeveria greke sponsorizoi botimin e fjalorit të parë të mirëfilltë të gjuhës shqipe në vitin 1904, mbas vdekjes së autorit (Kostandin Kristoforidhit), janë të nevojshme për të filluar një debat të ri, për të formuluar frazeologji të reja, të domosdoshme për një etikë të re. Përkthimet e Nolit janë pjesë e kësaj polemike, dhe ndoshta pika më e skajshme. Duke i thirrur arsyes, nga njëra anë duhet kuptuar fryma e kishës ortodokse tek raportet e tekstualitetit në adhurim, por nga ana tjetër duhet pranuar se ekziston nevoja e një rivlerësimi të marrëdhënieve shqiptaro-greke.             

 

Gjithsesi, shfaqja dhe mirëpritja e përkthimeve të para të Fan S. Nolit kishte rëndësi historike sepse ishin përkthimet e para liturgjike në gjuhën shqipe. Me to u arrit organizimi i kishave shqiptare në ShBA dhe pavarësia e kishës në Shqipëri nga kisha greke. Sidoqoftë, ndërsa stili mjeshtëror i Nolit mahniti njerëzit e letrave shqipe, nuancat teologjike i rrëshqitën vëmendjes së tyre.

 

 

Statusi i përkthimeve të para sot

 

Periudha e parë e përkthimeve të Fan S. Nolit pati më shumë dritë e më pak hije. Para përfundimit të kësaj pune në dukje të pamundur prifti 30-vjeçar iu kishte premtuar bashkatdhetarëve të tij se do t’iu dhuronte lutjet më të domosdoshme në shqipe. Tashmë atë e priste një fushë tjetër, përkthimi i letërsisë botërore, “për të cilën kombi ynë ka kaq nevojë”.

 

Një pyetje mbetet ende habitore për studiuesit e Nolit: si mundi ai të ishte kaq prodhimtar në periudhën më të ngjeshur të jetës së tij,1908-1914? Ai ishte student në Harvard për disa vjet, ku po përpiqej të përkryente anglishten, ishte prifti i parë në shërbim të mijëra shqiptarëve ortodoksë, ishte gazetar dhe veprimtar i papushuar gjatë gjithë këtaj periudhe gjashtëvjeçare. Sikur të mos ishin mjaft gjithë këto, ai duhet të përkthente vazhdimisht shërbesat dhe himnet e vështira bizantine. Siç duket, njerëz të tillë shenjohen për të kaluar nga të gjitha tundimet brendashqiptare, e për të ardhur tek ne të paprishur e të paplakur. Por ai nuk është trajtuar gjithmonë kështu. Kur përkthimet kishtare të Fan Nolit kishin zënë vend mirë dhe kisha ortodokse në Shqipëri ishte mëvetësuar, mjaft “patriotë” shqiptarë e quanin peshkopin e shqipes herë “të kuq”, e herë “me mjekër fallco”.

 

Periudha e parë përkthimore e Nolit në kishë i dha atij statusin e përhershëm në ortodoksi. Sa profetik ishte Mitrush Kuteli në vitin 1943, kur duke analizuar jetën dhe poezinë e Nolit u shpreh: “Imzot Theofani jo vetëm që krijoj veglën e parë që hapi rrugën drejt Autoqefalisë kishëtare, por edhe farkoj terminologjinë Shqipëtare për Kishën Orthodokse. Këto shqipërimet e tija janë edhe sot, e do të jenë për shumë kohë, librat e shërbimit të shenjtë të Kishës s’onë”.[5] Me të vërtetë edhe sot këto përkthime preferohen si alternativa e parë për përdorim në kishë. Këto libra janë baza nga ku do të nisen një ditë përkthyesit për të përmirësuar e plotësuar përkthimet kishtare në shqipe.

 

Përkthyesit e sotëm të pasazheve himnologjike duhet të kenë parasysh se përkthimet e periudhës së parë të Nolit janë më të përshtatshme për të cituar, sepse në këto botime himnet i qëndrojnë shumë më afër origjinalit, siç do të shohim në shkrimin përkatës mbi përkthimet e periudhës së dytë.[6] Është interesant fakti që një shtëpi botuese në Selanik, me fillimin e riorganizimit të jetës fetare të pasdiktaturës në Shqipëri, filloi rishtypjen e librave të periudhës së parë të Nolit, deri sa seria u ndal me botimin e librit të tretë, pikërisht sepse kryesia e kishës ortodokse në Shqipëri nuk u interesua për marrjen dhe shpërndarjen e këtyre librave. 

 

Por botimet e Selanikut janë një përjashtim, ose të paktën dëshmojnë potencialin e një debati të mundshëm prodhimtar midis dy zonave. Ende sot Greqia zyrtare nuk i ka ndryshuar termat ndaj Fan Nolit. Në të vetmen vepër historie mbi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në greqishte, përpunuar e ribotuar në vitin 1998, e cila përdoret si tekst mësimor në Universitetin e Selanikut, Noli kishtar vazhdon të figurojë atje me të njëjtat epitete përdorur nga kisha greke në vitet 20: “hyjtallës” e “aventurier”. Ndërsa cilësimi i parë është krejt shpërfolës, i dyti ndoshta qëndron, sepse pa aventura, sidomos kur këto shpirtërohen e kanalizohen në një qëllim të qashtër kombëtar e fetar, nuk mund të bëhet asgjë e mbarë në botën ballkanase. 

 

Le të përfundojmë duke kujtuar fillimet e periudhës së parë përkthimore të Nolit. Në një letër përgjigjeje drejtuar Thanas Tashkos, Noli justifikohet me të drejtë ndaj akuzave të Sotir Pecit mbas librit të parë: “.... kur të shtrohen punët le të vijnë theologët dhe filogogët ta ndreqin. Tani këtu n’Amerikë ku t’i gjenj unë?”[7] E pra kjo seri botimesh të vyera i jepej gramatologjisë shqipe si pikë nistore për një udhëtim të stërgjatë, ende të paqarkuar edhe mbas një shekulli.

 

(Koha Jonë, 17 shtator 2003)

 



[1] Gjashtë librat e periudhës së parë përkthimore ndodhen në shqiptarortodoks.com/tekste liturgjike.

[2] Evlogios Kourilas Lavriotis (Evllogji Kurilla), Alvanikai Meletai - I Metafrasis tis Kainis Dhiathikis eis to Alvanikon (Studime Shqiptare -Përkthimi i Dhjatës së re në shqipe) Selanik, 1933, f. 35.

[3] “…Shoqëritë të venë nga një njeri që di Greqishten dhe Shqipen mirë që ta shëkojë dhe të dërgojnë nga një shkrim te kryebiskupi që është kthyer korektërisht dhe pastaj do të apë autorizacie të shkruar që të përdoret në çdo kishë ortodokse. Kjo u mbarua do me thënë”, Letër Zef Nosit, 30 qershor 1908, Fan S. Noli, Vepra 6 (botuar nga Nasho Jorgaqi), f. 351.

[4] Pesëmbëdhjetë vjet mbas botimit të librit të parë kishtar në shqipe, peshkopi i grigjës së viseve të Gjirokastrës, Vasilios, mbas dëbimit nga Shqipëria rrëfen i vetëpërshkruar naivitetin e ndërsjelltë kulturor, në një telegram drejtuar Lidhjes së Kombeve: “… qeveria shqiptare kërkon të futë në liturgji gjuhën shqipe, shumë primitive, e cila madje është e përjashtuar edhe nga xhamitë myslimane…”, 5 tetor 1922, “AE, Societé des Nations, Minorite en Albanie”, vëll, 445 (cituar nga Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri: 1920-1944, përkthyer nga Luan Omari, Tiranë 1994, f. 53.

[5] Mitrush Kuteli, “Poeti Fan S. Noli-vështrim panoramik”, Mall e Brengë, Tiranë 1943 (cituar nga Fan S. Noli, Albumi, f.12, Boston 1948.

[6] Në përkthimet e KOASh-it këto vite, të cilat nuk shquhen për cilësi e detajim në shqipen standarde, hasim citime nga përkthimet e dyta të Nolit të cilat disa herë nuk i kanë fare frazat/vargjet që kërkon të shprehë origjinali në anglishte, për shembull. Mosnjohja e greqishtes liturgjike nga përkthyesi i një teksti ortodoks mund të zëvendësohet me leximin e kujdesshëm të pasazheve liturgjike në anglishten e origjinalit për përkthim, e për t’i përqasur në vijim me përkthimet e para të Nolit, të cilat janë tekstualisht më afër origjinalit, atje ku ekzistojnë. Përkthimet e njëpasnjëshme liturgjike që po kryhen në anglishte janë një ndihmesë cilësore përkthimore, gjë që mund të përdoret edhe për plotësimin e përkthimeve shqipe. 

[7] Vepra 6, f. 344.


Reply (new window)Reply|Reply with quote (new window)Quote|EditEdit
Posted:
March 9, 2005 12:18 AM
Post #54292—in reply to #54291
Zef Ulqinaku
Member

Posts: 8
Joined: July 24, 2004
Location: Canada
 
RE: Fan S. Noli -përkthimet kishtare 2 (At Foti Cici)

I.                   Riorganizimi kishtar i mërgatës

          

(Periudha e dytë përkthimore: 1941 – 1952)[1]

 

Që nga viti 1914, kur Fan S. Noli botoi librin e fundit kishtar të periudhës së parë përkthimore, e gjer në vitet 40, kur u kthye tek përkthimet liturgjike, ai botoi 14 libra jokishtarë, kryesisht përkthime të letërsisë botërore. Mbas një jete të stuhishme kleriku gjashtëdhjetëvjeçar botoi në vitin 1941 librin Uratore, i pari vëllim i periudhës së dytë të përkthimeve kishtare me 600 faqe, në vitin 1947 Kremtoren, me 818 faqe, dhe në vitin 1952 vëllimin e fundit të periudhës së dytë, Triodi dhe Pesëdhjetorja, 396 faqe. Siç duket dhe nga shumica e titujve, ai e provoi shqipen kishtare në pikën më të lartë, duke na dhënë terma të shpenguar dhe jo të ngjizur shtirazi.

 

Nëpërmjet ribotimeve kishtare Noli tregoi se e kishte për dëshirë të ripërkthente edhe brenda shqipes, akoma dhe tituj të paradhënë nga vetë ai në vitet 10, të cilët do të përktheheshin ndryshe në shqipe mbas tridhjetë vjetësh, prapë në shqipe, e në të njëjtat vite do të konceptoheshin ndryshe tek përkthimet në anglishte. Një dukuri e ngjashme duket dhe në botimet e Nolit të historive të Skënderbeut, dy herë në shqipe e një herë në anglishte, kaq saqë iu jep shkas të interesuarve të vazhdojnë përbetimet e viteve 40... 

 

Përderisa “Plaku i Amerikës” u kthye në ShBA i zhgënjyer e i dështuar, me moshën e kaluar e me sëmundjet serioze, e shihte se atje do t’a kishte fundin; atje ku filloi. “Atje nisi atje mbaroj, etj...”, i pëlqente atij të aludonte me elegjinë e Bajram Currit. Kështu Nolit të pjekur në përvojë e në dije i duhej të rindërtonte të kaluarën e të ardhmen e tij përmes së tashmes: riorganizimit kishtar të mërgatës, krahas thellimit në studime që në vetvete kishte lënë përgjysmë. Noli do të ishte epiqendra e Nolit dhe për këtë s’kishte rrethana më të volitshme. Shënime autobiografike përvijohen këto vite, premtohen të tjera për vijim, e pështjellohen biografët me të tjera, e të tjera.

 

Vlen të lexojmë kushtimet në librat kishtarë të periudhës së dytë, tek të cilat përkufizohet një botë simbolike jetëshkrimore, e njeriut Theofan, por, sidomos, e Fan Nolit, ndryshe nga kushtimet në gjashtë librat e përkthimeve të para, të cilat mbikushtohen për kombëtarizimin e kushtuar të ortodoksisë shqiptare. I pari libër i periudhës së dytë, Uratore, është më përfaqësori i literaturës liturgjike ortodokse, i cili për nga përdorimi mund që quhet dhe priftërorja, sepse në praktikë është manuali i priftit. Sa e kishin ëndërruar këtë libër shqiplëçitësit e parë, priftërinjtë e martirizuar të Shqipërisë së paranolit... E kujt tjetër mund t’ia kushtonte Hirësia e Tij librin e shërbesave? “Të përnderçimit At Kristo Negovani, Dëshmorit të Kishës sonë Kombëtare, për kujtim të përjetmë!”. Kështu, detyrimi i parë iu blatohej pararendësve, etërve shqiptarë të parafjetur me shpresë ngjalljeje.

 

Kremtorja, libri më voluminoz i tij, ishte vepra që e mundoi më shumë Imzot Theofanin. Sa herë ishte penduar e vrarë shpirtërisht që punët e kishës e të kombit nuk e kishin lënë të bënte më shumë për nënën e tij të shumëmunduar. “Nënës së dashur Maria Stilian Noli, për kujtim të përjetmë!”. Peshkop Noli i blatonte kishës së saj veprën që e konsideroi si sfidën e gjithë krijimtarisë së tij (Të paktën kështu e tha). Pastaj ky është libri më i kënduar në kishën ortodokse; bashkëshorti i saj dhe ati i tij, Stiliani, ishte psalt. Kremtorja me festat e shënuara kishtare, të cilat i kujtonin ditët e bashkëkremtuara, gjatë fëmijërisë e djalërisë së hershme, me gjithë ato ndjenja të përziera.

 

Po kush ishte ai shpirt që i dha Theofanit farën e besës, me intuitë dhe jo me arsyetime? Atë besim të përfolur tek i cili u ngrit gjithë ajo jetë, me kaq dritëhije. Kush i pati thënë Theofanit të kundrojë qiellin, siç u kujtua e bëri në majë të urës së Gallatasë në Stamboll, tek ajo urë që ndan dy botë, i pangrënë e i pashok, t’i thërriste për ndihmë e ndërmjetim shenjtit dalëzotës të shqiptarëve, shën Gjergjit, dhe menjëherë të shfaqej atje At Athanasiadhis, ish profesori i tij në gjimnaz, që t’i ofrojë biletën për Athinë? Kush ishte ajo që e mësoi të agjërojë, ndonjëherë për ditë të tëra, që i fali çaste prej asketi, shumë para se të jepte premtimet murgjërore në manastirin rus, të cilat nuk i ruajti? Pra, kush e meritonte librin e kreshmëve të mëdha dhe të Ngjalljes? “Gjyshes së dashur Sumba Gjerq Noli, për kujtim të përjetmë” (Triodi dhe Pesëdhjetorja).

 

Në fund të fundit, tek gjyshja Fan Noli figuronte vetëm si Theofan Mavromati, qytetar i gjeografisë së perënduar greko-romake, madje atëherë kur dinte vetëm një gjuhë, kur çdo ndjenjë duhej të lektizohej vetëm në një formë tmerrësisht të ëmbël toskërishteje, e cila mbeti atje, në Thrakë, e paregjistruar plotësisht në trurin e tij, në luftë me greqishten e ndërlikimet e saj tekstuale që po vizatoheshin në mendjen e shpërndarë fëminore. Sikur të mos mjaftonte drejtshkrimi historik dhe sintaksa qiellore e katharevusës, që vinte ndesh me gjyshen e shenjtëruar pa shkronja, i kujtohej tek pikonin në kujtesën e tij mësimet e para të simiografisë bizantine: “oligon, petasti, kentimata, kentima, ipsili”, e pastaj kokëposhtë: “apostrofos, iporoi, elafron, hamili...”. Ndryshe nga përkthimet në vetvete, ku është bërë një kompromis kulturor në përzgjedhje e përshtatje, tek kushtimet e librave, pothuaj tek të gjitha, Noli doli nga ritualiteti kulturor i fisit; në këtë rast, emrat e të atit e të gjyshit i shtoi përbri nënës dhe gjyshes.

 

 

Personalizimi i kanonit

 

Peshkop Noli kishte dy arsye për të ripërkthyer e ribotuar tekstet liturgjike në shqipe. Së pari, kanoni i adhurimit nuk ishte plotësuar, për arsye se shumë shërbesa nuk ishin përkthyer gjatë periudhës së parë. Gjashtë librat e periudhës së parë, 1908-1914, janë përfshirë në këto botime të dyta, por të ripërkthyera, dhe sasia e tre vëllimeve të periudhës së dytë është pothuaj dyfishuar nga ajo e para. Së dyti, ai deshte t’a përkthente meshën sipas ideologjisë së tij, gjë që nuk ishte e mundur gjatë viteve të hershme të periudhës së parë përkthimore si prift i ri. Atëherë ai përkthente për të pajisur lëvizjen për autoqefali me librat e munguar, gjë që e lidhte priftin e saposhuguruar, nën omoforin e peshkopatit rus, me ideologjitë ekzistuese tekstuale te kishës ortodokse, dhe sidomos asaj greke, e cila ishte, zyrtarisht, përgjegjëse për shqiptarët.

 

Por tashmë ai ishte politikisht i pavarur, kishërisht po ashtu, dhe pozita e tij në komunitetin shqiptar në Amerikë ishte fuqizuar, sidomos mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia. “Mjekra fallco” nuk dëgjohej më, jo sepse ai kishte vite që e kishte rruajtur, por se tërheqja nga politika dhe të marrurit me studime ia kishte ndryshuar profilin e mëparshëm, disi të pakuptueshëm për besëmirët dyshues ortodoksë. Pajtimi me Faik Konicën ia kishte rivijuar përmasat. Për më tepër, në vitet 40 Fan Noli kishte të njëjtin autoritet në letrat shqipe sa ç’kishte Kristoforidhi gjatë viteve kur Noli po botonte librat e tij të parë. Hija e Kristoforidhit, me puritanizmën sunduese tek përkthimet biblike, dhe fantazma e patrikut të Stambollit me disa peshkopë shqiptaro-grekë që e kërcënonin në kor, që nganjëherë i fanepseshin si një qenie me dy krerë – krejt absurde për bindjet e tij afatgjata- ishin mërguar nga faqja e imzot Theofanit.

 

Por çfarë ndryshimesh sollën këto përkthime, të cilat u lëruan në vite paqeje për Nolin? Në qoftë se japim një gjykim përmbledhës, mund të themi se këtë herë kemi dy ndryshime të mëdha në punën përkthimore të Nolit meshar. Së pari, himnet janë përkthyer në mënyrë të lirë, duke arrirë kësisoj një përshtatje të përkryer muzikore tek teksti i përkthyer, brenda gjinive muzikore bizantine, gjë që nuk ekziston tek përkthimet e periudhës së parë. Cilido psalt sot, qoftë dhe me njohuri mesatare në muzikën kishtare, e ka shumë të lehtë t’i këndojë këto tekste, e të imitojë të gjitha ngjyrimet e melodive bizantine. Kjo ideologji i bën këto përkthime të vetëvendosen mbi një truall të përhershëm muzikologjik. Nga gjithë kërkimet që kemi bërë mbi përkthimet e vona liturgjike në gjuhë të tjera, nuk kemi gjetur tekste më muzikore si këto të periudhës së dytë shqip të Fan Nolit.

 

Ndërsa në përkthimet e para, përsërisim, synimi pat qenë kultivimi i tekstit dhe jo përshtatja muzikore. Kjo është arsyeja që ato tekste nuk u përshtatën suksesshëm në shqipe, për t’i dhënë përparësi tekstualitetit si mjet i fuqishëm ortodoksie, por dhe si mjet i kombëtarizimit të kishës.

 

Por Noli nuk ishte i kënaqur vetëm me një përkthim thjesht të lirë, me përparësi në muzikalitetin e gjuhës së përkthyer. Në fakt, kjo është një metodë jokishtare në përkthimet liturgjike. Sikur të mos mjaftonte kjo, dhe këtu vijmë tek arsyeja e dytë, nga njëra anë peshkopi përktheu shërbesat që plotësonin kanonin liturgjik në shqipe (kanonin e konceptuar prej tij), por nga ana tjetër ai i shkurtoi shërbesat duke hequr disa nga uratat që lexon prifti dhe duke shkurtuar shumë fraza dhe vargje nga himnet origjinale.   

 

Përse i shkurtoi Noli himnet dhe shërbesat në përkthimet e dyta? Përderisa ai vuri muzikën si të parë në përkthim, ishte e kuptueshme që në disa himne, detyrimisht, përkthyesi do të sakrifikonte vargjet (herë-herë duke i tjetërsuar ato) për hir të të kënduarit, por megjithatë kjo nuk mund të shpjegojë gjithë ndryshimet. Tek uratat priftërore nuk ekziston asnjë lidhje me muzikën, përderisa ato janë thjesht recitime; por Noli edhe atje ka vënë dorë.    

 

Tek Uratorja ai e justifikon këtë përzgjedhje duke thënë se, “Disa prej Uratave janë shkurtuar, dhe disa këndime janë lënë jashtë jo vetëm për të kursyer harxhet, po më tepër nga shkaku që ato figurojnë vetëm në librat, edhe kurrë nukë këndohen.” (Parathënia e Uratores). Kjo është e vërtetë për disa nga uratat, por jo për të gjitha lutjet që ai shkurtoi e nuk përfshiu fare në kanonin e tij liturgjik.

 

Supriza më e madhe e këtyre botimeve është se nuk kemi ndonjë ndryshim të dukshëm në stilin e gjuhës a në terminologjinë liturgjike. Kjo është shumë habitëse sepse mbas një qëndrimi disavjeçar në Shqipëri, e mbas një pune të madhe tekstuale me shqipen, për pothuaj dy dhjetëvjeçarë, Fan Noli duket se nuk është i prirur të pajtohet me ecurinë e një gjuhe drejt njësimit. Ndryshimet midis dy periudhave janë nuancore e jo stilore. Ideologjia planifikuese e Nolit – më shumë letrar e më pak gjuhëtar- në gjuhë, nuk e kapërceu cakun e një toskërishteje “romane”. Nëse përqasojmë gjuhën e Nolit të viteve 50 me atë të botimeve të atyre viteve në atdhe, duket sikur i ndan një shekull i tërë në vite. 

 

Ndërsa nga këndvështrimi teologjik këto përkthime të dyta dëshmojnë se mendja gjithmonë e zënë e Nolit nuk u vra kurrë për adhurimin dhe tekstualitetin ortodoks, për vetë faktin se një përsiatje e tillë kushtëzonte një lidhje të përhershme të mendimeve të përkthyesit me fenë, dhe, sidomos, një thellim teologjik, profesional. Por është për të admiruar se Noli punoi fort, dhe kurrë nuk ishte i kënaqur nga puna e tij e mëparshme. Madje dhe pasazhet biblike janë ripërkthyer tek botimet e dyta, gjë që dëshmon një punë shumë të madhe dhe të gjatë, e cila nuk ishte kaq e domosdoshme. Shpifja më e madhe që i kanë bërë shqiptarët Nolit ishte kur i thanë “dembel”.

 

 

Paralele ideologjike midis dy periudhave

 

Tek përkthimet e periudhës së dytë shpaloset ideologjia politike e Fan Nolit, si kishar i diasporës. Përderisa Noli nuk ishte teolog, vizioni i tij për të ardhmen e ortodoksisë në Amerikën e Veriut përcaktohej thjesht në një perspektivë ideologjike. Kryesore ishin çështjet e gjuhës adhurimore, siç do të shikojmë më poshtë tek shkrimi mbi përkthimet liturgjike të Nolit në anglishte, dhe ato të politikës së juridiksioneve kishtare etnike në ShBA, që kishin lidhje me statusin e tij të gjysmëpranuar në Amerikë. Mendimi i Nolit gjatë këtyre përkthimeve nuk përmbante debate teologjike. Por mesha është pjesë e pandarë e teologjisë ortodokse. Mitropoliti Theofan besonte se kisha ortodokse në Perëndim do të rivlerësonte traditën lindore adhuruese dhe do të bënte ndryshime, për sa i përket zgjatjes dhe strukturës së shërbesave e himneve, për t’u përshtatur në botën e re. Por kjo nuk ndodhi, ose, të paktën, nuk u sanksionua. 

 

A ishin këto përkthime për përdorim në kishat shqiptare të Amerikës, apo paraqiteshin me një perspektivë tejamerikane, edhe për kishën ortodokse në Shqipëri? Edhe vetë Noli do t’a kishte të vështirë t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, sepse referencat përkujtimore të peshkopit meshtar tek kjo periudhë përkthimore nuk janë të njëtrajtshme. Tek periudha e parë ne lexojmë “Për Kryepeshkopin tonë aksh”, gjë që i jep librit një përdorim tej juridiksionit të tij kishtar, e çon tek të gjitha peshkopatat shqiptare dhe e shtrin tej ditëve të Nolit ëndërrimtar.

 

Por kjo nuk është e vërtetë për përkthimet e dyta. Tek këto botime lexojmë, “Për Kryepeshkopin tonë aksh”, atje ku peshkopi vendor duhet të përkujtohet, por ka pika të tjera ku përdoruesi i librit shtanget: “Theofanit, fort të përnderçimit edhe të lumturit Mitropolit të kryekishëve të shenjta të Durësit e të Bostonit, kryetarit edhe eksarkut të Shën Ilirisë, përfalësit të Shën Gjergjit edhe Ungjillorit të Shqiptarëve, atit e kryepriftit tonë, për shumë vjet, për shumë vjet, për shumë vjet!” (Uratore, f. 192). Këtu është vështirë të fshihet përshtypja se vetëm një ithtar i Nolit do të guxonte të vargëzonte gjëra të tilla për të.

 

Nga dëshmia e mësipërme del se peshkop Noli përdor emrin e tij si titull të kryepeshkopit të Shqipërisë, kur përmend Durrësin, fronin e tij të braktisur pa kthim (nëntor 1923-dhjetor 1924), duke e vendosur veten mbi gjithë peshkopët shqiptarë të asaj kohe. Ai shkelte kësisoj veç etiketës kishtare edhe kanonet përkatëse mbi peshkopatin e dhënë ortodoks, përderisa kisha mëmë asokohe, në vitin 1941, kishte një ekzistencë plotësisht kanonike në Shqipëri. Vetëcilësimet e tjera të mbetura te ky libër, nuk mund të vërtiten vetëm me terma brenda vetënjohjes, a tjetërnjohjes së Fan S. Nolit.

 

Veç kësaj, tek Uratorja Noli na jep rastin të vazhdojmë të habitemi. Peshkopi përktheu në këtë vëllim shërbesën e Miros së Shenjtë, celebruar nga Patriku. Përse e shtoi ai këtë shërbesë në kanonin e meshës shqiptare? Shqipëria nuk ka patrik dhe miroja i jepej, siç i jepet edhe sot, KOASh-it nga Patrikana Ekumenike, ose gjatë regjimit komunist, në disa raste nga Patrikana e Rusisë. A nuk vjen ndesh renditja e kësaj shërbese me kanonin shqiptar liturgjik, por dhe me vetë parathënien e Uratores, ku Noli, siç thamë më sipër, përpiqet të heqë dhe të shkurtojë nga origjinali, “për të kursyer harxhet, por më tepër nga shkaku që ato figurojnë vetëm në librat dhe kurrë nukë këndohen”? Kush është patriku i vërtetë i Uratores?

 

Gjëra të ngjashme vërehen dhe tek shërbesa “Doksollogjia e Flamurit”, e cila u rendit në fund të Kremtores, ku ideologjizimi jo vetëm që nuk largohet, por kalon përmes ngushtësisë së vetvetes, duke e personalizuar tekstualitetin adhurimor: “Kryepeshkopit tonë Theofan dhuroji, o Zot, jetë, paqe dhe ditë të gjata, që të lëçitë Ungjillin e së vërtetës sate, dhe ta udhëheqë popullin në udhën e dritës, dhe ruaje për shumë vjet” (Kremtore, 1947, f. 770). Peshkopi ortodoks nuk e sheh veten si at shpirtëror të mërgatës ortodokse, por si etnark të vetëkurorëzuar për “udhëheqjen e popullit”. Një shërbesë e tillë është kaq personalizuese, saqë nuk mund të zëvendësojë karakterin kombëtarizues të përkthimeve të para, edhe pse atje nuk ekziston asnjë shërbesë dhoksologjie për të kremtet kombëtare.

 

Duke vëzhguar gjithë këto dukuri të shumëkuptimta, në qoftë se krahasojmë dy periudhat përkthimore të Fan S. Nolit në shqipe, mund të themi se të parat vijnë nga një prift që i lëron e i blaton si lutje në kishë, ndërsa të dytat vijnë nga një prelat që i koncepton dhe i këndon për vete. Por prapë, edhe personalizimi i kanonit liturgjik sipas nevojave, shijes e ideologjisë së prelatit, nuk mund të shpjegojë paradoksin e përkthimeve të periudhës së dytë. Lajthimi ynë është se nuk e pranojmë paradoksin si çast lajthitjeje për çdo njeri.

 

 

Heshtja e receptimit

 

Përkthimet e dyta lindën, u rritën e u plakën në heshtje. Për shembull, në vitin 1943, kur Mitrush Kuteli portretizon Nolin, në titujt e botimeve kishtare të Nolit nuk jepet Uratorja, e cila kishte dy vjet që ishte botuar, por siç duket nuk ishte marrë vesh. E njëjta gjë vihet re dhe në reagimet e kishës ortodokse në Shqipëri, e cila nuk i njohu këto libra për përdorim në adhurim. Edhe sot ato përdoren në rast se diçka mungon nga përkthimet e para ose në rast se fizikisht librat e parë janë shteruar, përderisa nga cilësia dhe përmasat fizike librat e dytë janë më të parashikuar.

 

Përkthimet e para ishin pritur me bujë, në kohën e tyre, për arsye të lidhjes historike me lëvizjen për pavarësi. Që të merrte trajtë të plotë kjo pavarësi duhet të realizohej një mëvetësim dykrenor, politik e fetar, sidomos për ortodoksët. Periudha e dytë nuk kishte ndonjë rëndësi historike përveçse për të plotësuar disa nevoja liturgjike e pastorale. Për më tepër ishte më e vështirë për t’i bërë këto vepra të njohura për arsye të luftës dhe sidomos të pasluftës.

 

Por edhe përkthimet e para të Nolit të cilat janë më “ortodokse”, nuk u trajtuan me bindjen se ishin plotësisht të përshtatshme, por se ishin të vetmet ekzistuese në këtë gjini. Pa këtë bindje nuk mund të pranohen vlerësimet e atëhershme nga personalitetet shqiptare.

 

Në statutin e vitit 1922 thuhet: “Librat Shqipe kishëtare që janë përdorur gjer më sot do të përdoret prapë gier sa të trajtohet nga Sinodhi Epishkopal i cili do të vendosë për vazhdimin e përdorimit të tyre” (Nyja xiii). Gjithashtu edhe statuti i vitit 1929: “Librat e Kishës që janë përkthyer do të këqyren prej Sinodhit, i cili e ka për detyrë të kujdeset sa më shpejt për përkthimin dhe botimin e atyne librave të Kishës që mungojnë” (Kaptina II, Art. 8).

 

Megjithë këtë shqetësim dhe mospranim në dukje nga kleri i lartë shqiptar, e vetmja vepër nga premtimet e statutit të vitit 1929 ishte rishikimi dhe ribotimi i librit të shërbesave, përkthyer e botuar dikur nga vetë Noli. Fatkeqësisht, as ai sinod e as të tjerët që vijuan gjer më sot, nuk mundën t’a pasurojnë literaturën adhurimore ortodokse me diçka tej Nolit, dhe madje as mundën t’i rishikojnë dhe t’i rishtypin të gjitha librat e Nolit. Me paaftësinë e tyre kishtarët shqiptarë i dhanë dhe po i shtojnë përkthyesit të madh një status të pamohueshëm në Kishën Ortodokse. Gjithsesi, mungesat në libra, krahas problemeve të tjera, e mbajnë kishën autoqefale shqiptare larg plotësimit të tipareve të plota vendore, disa prej të cilëve u bënë realitet vetëm nëpërmjet punës vigane të Fan Nolit. 

 

Nëntë vëllimet e përkthimeve kishtare të Fan S. Nolit në shqipe, të cilët iu shtuan gurit të Kostandin Kristoforidhit, janë blatorja e gramatologjisë sonë kishtare. Noli pret nga kishtarët e sotëm atë që pati propozuar para se të niste punën përkthimore: teologë e filologë shqiptarë të thirren për një punë të përbashkët, për të ideuar e plotësuar kanonin adhurimor të ortodoksisë shqiptare. 

 

(Koha Jonë 21 shtator 2003)

 

 



[1] Tre vëllimet e periudhës së dytë ndodhen në shqiptarortodoks.com/tekste liturgjike.


Reply (new window)Reply|Reply with quote (new window)Quote|EditEdit|.Delete
Posted:
March 9, 2005 12:25 AM
Post #54294—in reply to #54291
Zef Ulqinaku
Member

Posts: 8
Joined: July 24, 2004
Location: Canada
 
RE: Fan S. Noli -përkthimet kishtare 3 (At Foti Cici)

 

I.                   Sfida e amerikanizimit të Peshkopatës Shqiptare                                                   

            (Përkthimet në anglishte: 1949-1964)[1]

 

 

Kur peshkop Noli u kthye nga Evropa dhe u “riatdhesua” në ShBA, në fillim të viteve 30, ai konstatoi se shqipja nuk ishte më gjuha e parë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Nuk dimë se deri në çfarë mase ishe parashikuar kjo nga Noli i paraluftës. Bijtë e bijat e mërgimtarëve që ishin rritur e po martoheshin, më shumë me amerikanë e më pak me shqiptarë, nuk e kuptonin më gjuhën e adhurimit, shqipen e lëruar në kishë njëherë e një kohë nga vetë Noli. Asokohe gjithë gjuhët kishtare të ortodoksëve në ShBA ishin të huaja, sepse përçonin traditat e komuniteteve etnike ortodokse, të zhytur kush më shumë e kush më pak në moçalin e nacionalizmit gjuhësor.

 

I prirë për vegime imzot Theofani ëndërroi “kishën ortodokse amerikane të ardhmërisë, e cila do të bashkojë gjithë grupet ortodokse, dhe do t’i aftësojë ata të përmbushin misionin e tyre ugjillëzues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” (kushtimi tek Three Liturgies of the Eastern Orthodox Church). Kjo kishë e së ardhmes, ashtu si dikur në Shqipëri, kishte nevojë për libra. Ndërsa peshkopët e tjerë ortodoksë ishin të varur nga sinode të ndryshme (kanonike, gjysmëkanonike e jokanonike), Noli ishte i pavarur dhe e kishte të lehtë të shquante, të vendoste e të vepronte.

 

Mallkimet ndaj gjuhës shqipe në të kaluarën dhe asimilimi i pritshëm i shqiptarëve në Amerikë në të tashmen, kishin të njëjtin çmim në vizionin e ri politik, përsëri nëpërmjet përkthimit. Noli botoi dymbëdhjetë libra kishtarë në anglishte (1949-1964), më shumë sesa në shqip, dhe u bë kësisoj një nga nismësit e ortodoksisë amerikane. Por vepra e tij nuk mund të analizohet si puna e një teologu ortodoks, sesa si ajo e klerikut të krishterë erudit, e politikanit ideolog, udhëheqësit mendjehapur të Kishës. Për më tepër, mbas një jete të trazuar në politikë e në mërgim për Shqipërinë, Fan Noli pa atdhe lufton për të bërë paqe me veten dhe grigjën e tij, në Amerikë.

 

Kështu, ndërsa përkthimet kishtare shqip ishin “një kthesë në historinë e Rilindjes shqiptare” (Faik Konica), përkthimet kishtare në anglishte u bënë kthesa e madhe në jetën e Fan S. Nolit! Për njerëz si Noli është e pazakontë të kanalizojnë ideologjinë e tyre nga ngushtësisht kombëtare në një mënyrë të menduari gjithënjerëzor, duke marrë vendime krejt të ndryshme nga ato të gjithë jetës dhe veprës së mëparshme.

 

Tjetërsia e Nolit nuk gjendet tek të qenurit amerikan, sesa tek amerikanizuesi i peshkopatës shqiptare. Le të kujtojmë këtu se kleri grek në ShBA po përpiqej të ruante gjuhën greke në adhurim dhe në arsim, duke i kthyer kishat në vatra kombëtare, e disa herë nacionaliste, ndërsa ideologu i nacionalizmit shqiptar, Fan Noli, përkthyesi i parë i librave kishtarë në shqip, u “shpërfytyrua” e vendosi të përdorë anglishten në meshë. “Në qoftë se duam të mbajmë brezin e ri në kishë, tha ai në anglishte, duhet të marrim vendime të dhimbshme dhe të përdorim vetëm anglisht në shërbesat tona” (1956).[2] Gjithsesi, lexuesit shqiptarë kanë të drejtë të shtrojnë një ditë pyetjen se deri ku u negociua/sakrifikua kombëtaria e Peshkopatës nëpërmjet një amerikanizimi të tillë. 

 

 

Amerikanizim  për shqiptarinë?

 

Si i diplomuar në Harvard në vitin 1912 Noli ishte shumë i shpenguar në përdorimin e anglishtes, pavarësisht se e mësoi atë në një moshë të pjekur. Anglishtja ishte gjuha që ai përdori më shumë gjatë gjithë jetës. Por gjatë studimeve në universitet, si dhe para e mbas tyre, Noli nuk pati rast t’i përkushtohej plotësisht kësaj gjuhe, përderisa në të njëjtën kohë shkruante, fliste, predikonte dhe mendonte shqip dhe jo vetëm.

 

Nga ana tjetër të gjithë dimë se sa shumëgjuhësh e sa i talentuar ishte Fan Noli. Por kjo nuk do të thonë se gjuhëdhuntia e Nolit nuk kishte caqe dhe se ai kishte arritur në anglisht suksesin e greqishtes. Bashkëpunëtorë të Nolit kanë pëshkruar se sa kompakte ishte anglishtja e tij.[3] Për shtrirje të kësaj mund të përmendim dhe theksin e Nolit në anglishte. Referencat e shtypit të hershëm shqiptaro-amerikan se Fan Noli e fliste anglishten “me akcent amerikan”, vijnë nga emigrantë me njohuri të pjesshme në anglisht. Kasetat me zërin e Nolit sjellin një anglishte me një theks të huaj, më të huaj se mesatarja e emigrantëve të sotëm shqiptarë, një tingëllimë si midis shqipes dhe greqishtes, gjë që është e natyrshme për brezat e pararsimuar për shumë vjet në shkollat greke. Por zëri është i kthjellët, muzikor, një anglishte e rrjedhshme, e thjeshtë në fjalorin e përzgjedhur, një e folme jokishtare, ndryshe nga shqipja kulturore e Nolit.

 

Pra, Noli ishte dhe mbeti emigrant por i një shtrese të lartë, nga ata mërgues që e ndërtojnë varrin atje ku përikin. Me këtë këndvëshrim, le t’a përfytyrojmë tani Nolin si mësues të brezit të ri shqiptaro-amerikan nëpërmjet anglishtes, gjuhës së parë të tyre. Përvoja e përkthimeve anglisht ishte një shtrirje e dhuntisë së përkthyesit të madh, i cili ishte dhe mësues i lindur.

 

Krahas amerikanizimit të kishës, si lëvizje kishtare e politike, peshkopi i gjithëmësuar vinte në kontakt të ngushtë me brezat e rinj, amerikanët shqipfolës, me të cilët ndihej më lirshëm, me çiltërsinë dhe shpengimin e tyre në sjellje e në gjuhë, me mënyrat amerikane, larg brezave të vjetër të ardhur nga atdheu, të cilët mbartnin të ngurtësuara mendësitë e tekat e tyre. Të rinjtë nguliteshin dhe mbeteshin tek hiret e Nolit, tek hiri kryepriftëror, por dhe tek mirësia e dituria e tij. Ata nuk vërenin ngyrën e lëkurës së vrarë të Nolit, ecjen duke u lëkundur e mënyrat e pandryshuara të të ngrënit. Përkundrazi, këto detaje bëheshin pjesë e asaj që ishte tmerrësisht interesante, gjë që për brezin moshatar ishte pika e rrekjes për t’a cilësuar.

 

Përkthimet anglisht kushtëzonin përgatitjen e koreve me të rinj anglishtfolës, shtrirjen e gjuhës angleze nga amvoni në katekizëm e grupime të tjera; po krijohej, pra, për peshkopin dijetar, një auditor i qëndrueshëm anglisht.

 

A e teproi Noli, apo a e mbajti fjalën, kur tha “vetëm anglisht”? E parë nga jashtë një reformë e tillë të kujton hebrenjtë, mijëra vjet të shkuara, të cilët përkthyen Biblën në greqishtje për nevojat e tyre të diasporës. Pavarësisht se si rrodhi gjuha e huaj dhe përqindjet e saj në kishat shqiptare, ky qëndrim mund të trajtohet si një nga hiperbolat noliane. Por kjo e ka justifikimin edhe tek ankthi i hierarkut përsa i përket statusit të tij peshkopal. Peshkop Theofani nuk njihej nga kisha greke në ShBA gjë që zyrtarisht pengonte edhe njohjen nga kishat e tjera ortodokse. Por përdorimi i anglishtes e afronte peshkopin tonë me kishën ruse, e cila asokohe po stimulonte themelimin e një kishe ortodokse amerikane që po ecte drejt vetëpërcaktimit.

 

Veç kultivimit dhe përdorimit të anglishtes në shërbesa Noli kishte dhe zona të tjera përpuqjeje me rusët. Vizioni rus për kishën amerikane kushtëzonte anglishten, por me një sfond kulturor sllav, të shprehur dukshëm në tipikonin adhurimor dhe muzikën kishtare. Kjo përkonte dhe me shijen personale të Nolit, paçka se modelet sllave nuk kishin lidhje me sfondin kulturor të shqiptarëve, të cilët i përkisnin traditës bizantine. Noli e dorëzoi dyfish traditën shqiptare të mërgimtarëve.

 

 

Dashuria ruse: bashkëvuajtës me Berliozin

 

Imzot Noli rrëfen në pleqëri dashurinë e hershme për muzikën kishtare ruse, tek e cila u mbështet për të reformuar muzikën kishtare të mërgatës së Amerikës: “Kompozitori i famshëm frëng, Hector Berlioz, i cili po ndiqte një shërbesë në kishëzën perandorake të Shën Petërburgut, u prek kaq shumë nga muzika kishtare saqë u shkreh në lotime dhe nuk mundte të kompozonte për orë të